Lëndët toksike në fabrikën e trikotazhit në Korçë kanë bërë reaksion, duke çliruar gazra që rrezikojnë seriozisht banorët e lagjes nr. 9.
Ora 21:50/ Ekspertët mësohet se do të nisin punët që sonte, teksa pritet neutralizimi i lëndëve të dëmshme. Bëhet me dije se ditën e nesërme do të largohen nga depoja e ish-trikotazhit të Korçës.
Nga matjet që janë bërë nga ekspertët, lëndët që kanë bërë reaksion nuk rrezikojnë banorët në lagjen nr.9. Por brenda ambienteve të fabrikës situata mund të jetë shqetësuese dhe e dëmshme. Analizat e lëndëve janë marrë aktualisht dhe do të studiohen në laborator.
Ora 21:16/ Ekspertët kanë mbërritur pranë fabrikës së ish-trikotazhit në Korçë, teksa pritet që të pajisur me mjetet mbrojtëse të hyjnë për ekspertizë. Ata do të nxjerrin përfundimet nëse gazi që çlirohet nga reaksioni kimik janë helmuese apo jo për banorët.
Banorët janë ende brenda banesave të tyre, teksa ka pasur edhe nga ata që janë strehuar në hotel.
Ora 20:51/ Vijon të jetë problematike situata nga reaksioni kimik tek ish trikotazhi në lagjen nr 9. Përgjatë gjithë ditës zonë ka pasur çlirim të gazrave toksikë ndërsa ende nuk është bërë një ndërhyrje. Sipas të dhënave nga Tirana janë nisur ekspertë të cilët do të futen në brendësi të godinës për të parë më nga afër gjendjen dhe reaksionin.
Në zonë është në gatishmëri zjarrfikësja, por edhe efektivë policie. Ndërsa banorët nuk kanë dalë nga shtëpitë. Do jenë ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes ata të cilët do përcaktojnë masën e rrezikut dhe më pas të vendosin se çfarë do të bëhet me këto kimikate për të cilat banorët kërkojnë zhvendosjen sa më parë.
Ora 15:30/ Fabrika e trikotazhit që në sistemin e kaluar e bëri Korçën një ndër qytetet me prodhimin më të madh, dhe që furnizonte të gjithë popullsinë me tekstile, të shtunën rrezikoj më shumë se 10 familje në lagjen nr 9.
Lëndët toksike, të mbetura në ndërtesën e vjetër e të shkatërruar që nga viti 1990 kanë bërë reaksion, duke çliruar gazra dhe duke vënë në rrezik jetën e banorëve.
Menjëherë pas çlirimit të gazrave, banorët e alarmuar kanë hedhur akuza ndaj autoriteteve lokale, duke thënë se kanë bërë kërkesa para disa muajsh por nuk është marrë asnjë masë.
Ndryshimi i temperaturave, bën që lëndët kimike të bëjnë reaksion dhe të çlirojnë gazra të rrezikshëm, ndërsa bashkia dhe prefektura pas ngjarjes kanë inspektuar zonën dhe kanë thënë se në ditët në vijim do të vendoset se çfarë do të bëhet.